Rights and Protections for Temporary Workers - Albanian

Të Drejtat dhe Mbrojtja e Punëtorëve të Përkohshëm - Shqip

Nëse vini në Shtetet e Bashkuara për të punuar ose studiuar, besojmë se do të keni një qëndrim të këndshëm dhe shpërblyes. Megjithatë, nëse hasni ndonjë problem, dijeni se keni të drejtat tuaja dhe mund të merrni ndihmë. Të gjithë punëtorët dhe punëdhënësit e përkohshëm duhet të respektojnë ligjet e SHBA-së dhe ju inkurajojmë të raportoni çdo shkelje ose abuzim dhe të kërkoni ndihmë. 

Nëse ndiheni të pasigurt ose jeni duke u keqtrajtuar, lutemi të telefononi Linjën Kombëtare të Trafikimit të Qenieve Njerëzore në numrin 1-888-373-7888 ose vizitoni humantraffickinghotline.org.

Wilberforce Collage Image.png

Informacioni në këtë faqe përfshin numrin për linjën telefonike dhe ju informon për të drejtat tuaja si mbajtës i vizës jo-emigruese në disa kategori të bazuara në punësim dhe arsim. Faqja përfshin gjithashtuem këshilla të dobishme për qëndrimin tuaj në Shtetet e Bashkuara, si për shbull, se si të mbani një regjistër me shkrim të gjithë kohës që punoni dhe t'i mbani dokumentet tuaja të udhëtimit në një vend të sigurt, ku gjithmonë mund t'i aksesoni ato. Qeveria e SHBA e jep këtë informacion me nxitjen e Aktit të Riautorizimit për Mbrojtjen e Viktimave të Trafikimit të William Wilberforce (Ligji Publik 110-457), i cili ripohon dhe forcon angazhimin e qeverisë së SHBA për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore dhe abuzimin me punën. 

Medical-Worker-Banner_10052022

NJIHUNI ME TË DREJTAT TUAJA

Ne kemi besim të plotë se ju do të keni një qëndrim fitimprurës në Shtetet e Bashkuara. Gjithsesi, nëse ju ndodhin situata të pakëndshme, ju keni të drejta dhe ju mund të merrni ndihmë!

Ju Keni të Drejtë për:

  • t’u paguar në mënyrë të drejtë
  • të mos qenë të diskriminuar
  • të mos qenë viktimë e ngacmimit seksual dhe shfrytëzimit seksual
  • të pasur një vend pune të sigurtë dhe të shëndetshëm
  • të kërkuar ndihmë nga sindikatat, grupet e të drejtave të punës dhe të emigrantëve
  • t’u larguar nga një situatë abuzive punësimi

NËSE JU JENI KEQTRAJTUAR, KONTAKTONI LINJËN E POSAÇME TË PANDËRPRERË TELEFONIKE TË QENDRËS KOMBËTARE TË TRAFIKIMIT TË QËNIEVE NJERËZORE 1-888-373-7888 (BRENDA SHBA-SË), ME TEKST “HELP” TEK (233733) (BRENDA SHTETEVE TË BASHKUARA) OSE EMAIL NHTRC@POLARISPROJECT.ORG.

SPECIALISTË TË TRAJNUAR JANË GJITHMONË NË DISPOZICION PËR NDIHMË NË MË SHUMË SE 200 GJUHË. JU NUK KENI NEVOJË TË JEPNI EMRIN TUAJ APO TË IDENTIFIKONI VETEN TUAJ. MËSONI MË SHUMË NË: WWW.TRAFFICKINGRESOURCECENTER.ORG.

Nëse jeni në rrezik të menjëhershëm, telefononi policinë në numrin 911 (brenda SHBA). Tregojuni atyre natyrën e emergjencës, vendndodhjen tuaj dhe numrin e telefonit nga po merrni. Kërkoni një përkthyes nëse nuk flisni Anglisht. Kur të vijë policia, ju mund t’u tregoni atyre këtë broshurë dhe t’u tregoni mbi abuzimin që ju keni vuajtur.

Nëse ju merrni vizë jo-Emigruese si punonjës shtëpie A-3, G-5, H, J, NATO-7, ose B-1, ju duhet të pajiseni me këtë broshurë gjatë intervistës suaj për vizë. Oficeri i konsullatës duhet të verifikojë që ju e keni marrë, lexuar, si dhe kuptuar përmbajtjen e kësaj broshurë përpara se të merrni një vizë. Nëse nuk e keni marrë, oficeri konsullor do t’ju japë juve broshurën dhe do ta diskutojë përmbajtjen e saj me ju. Gjithashtu, oficeri konsullor duhet t’i përgjigjet çdo pyetjeje që ju mund të keni rreth informacionit në broshurë.

TË DREJTAT TUAJA PAVARËSISHT STATUSIT TË VIZËS

Nëse besoni se të drejtat tuaja janë cënuar, njoftoni një agjenci qeveritare, sindikatë, apo organizatë joqeveritare, apo ndonjë organizatë tjetër e cila mund t’ju ndihmojë. Nëse nuk flisni Anglisht, kërkoni përkthyes.

1. E Drejta Juaj për t’u Paguar në Mënyrë të Drejtë

  • Ju keni të drejtën për t’u paguar për të gjithë punën që ju kryeni.
  • Ju keni të drejtën për t’u paguar të paktën sa paga minimale ligjore federale për shumicën e punëve. Vizitoni www.dol.gov/whd/minimumwage.htm për rrogën minimale federale.
  • Ju mund të keni të drejtë të paguheni më tepër sesa paga minimale federale nëse:
  • Punoni në një shtet, qytet apo qark, i cili ka një rrogë minimale më të lartë nga rroga minimale federale.
  • Kontrata juaj e punës/programi i vizës kërkon një pagesë më të lartë.
  • Ju mund të keni të drejtë për pagesë për punë jashtë orarit të rregullt në masën një e gjysëm herë të shumës së pagës për një orë të rregullt pune, për çdo orë që keni punuar mbi 40 orë për javë. Për shembull, nëse paga juaj është 10 dollarë për orë, punëdhënësi mund të jetë i detyruar t’ju paguajë 15 dollarë për çdo orë që ju punoni mbi 40 orë në një javë të vetme.
  • Nëse punëdhënësi juaj mban të holla nga paga tuaj, kjo quhet zbritje. Punëdhënësi duhet t’ju shpegoj qartë çdo zbritje të marrë nga paga juaj.

Këshillë: Merreni me vete këtë broshurë në Shtetet e Bashkuara për referencë të mëtejshme.

Field-Worker-Banner_10052022

Këshillë: Në varësi të kohës së qëndrimit tuaj, juve mund t’ju duhet të pajiseni me siguracion shëndetësor gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara. Ju mund të kualifikoheni gjithashtu për ndihmë financiare për të minimizuar koston e siguracionit shëndetësor.

  • Zbritjet mund të jetë të paligjshme në qoftë se pas zbritjes ju ka mbetur më pak se norma e pagës e kërkuar me ligj. Zakonisht një punëdhënës nuk duhet t’ju mbajë nga rroga kostot e uniformave, pajisjeve të sigurisë, veglave të punës, furnizimeve, pajisjeve apo tarifat e punësimit. Për disa kategori vizash, strehimi duhet të ofrohet falas.
  • Zbritjet e ligjëruara përfshijnë ato që ju zgjidhni, të tilla si sigurimi shëndetësor, detyrimet ndaj sindikatave, apo paradhëniet në paga, si dhe zbritje të cilat një punëdhënësi i duhet t’i kryejë për shkak të urdhërit nga gjykata si detyrim pagese për mbështetjen ose ushqimin e fëmijës, ose procedurat e falimentimit. Me pak përjashtime, mbajtësit e vizës jo-emigruese, punonjës të përkohshëm në Shtetet e Bashkuara, janë subjekt i taksimit federal dhe shtetëror të të ardhurave dhe të punësimit. Ju dhe punëdhënësi juaj mund të bini dakord që t’ju mbahet direkt në burim tatimi mbi të ardhurat nga paga juaj. Në përgjithësi punëdhënësi juaj do të mbajë direkt nga paga juaj taksat e punësimit, duke përfshirë Sigurimet Shoqërore dhe taksat e Medicare.

2. E Drejta Juaj Për të Mos u Diskriminuar

  • Është e paligjshme që punëdhënësi juaj t’ju trajtojë ndryshe apo keq në punë për shkak të moshës tuaj (nëse ju jeni 40 vjeç ose më shumë), gjinisë, origjinës kombëtare dhe etnisë, ngjyrës, fesë, informacionit gjenetik (duke përfshirë historikun shëndetësor të familjes) ose paaftësisë.
  • Punëdhënësi juaj nuk mund t’ju trajtojë ndryshe sepse jeni një femër apo sepse jeni shtatzënë, jepni gji, apo sepse mund të ngelni shtatzënë.

Këshillë: Përpara se të largoheni nga Shtetet e Bashkuara, merrni këshillë nga organizatat e punonjësve migrantë, ose ish-punonjësve migrantë. Ato mund t’ju japin emrat dhe numrat e telefonit të personave apo organizatave, të cilat mund t’i kontaktoni nëse keni probleme ose pyetje gjatë kohës që jeni në Shtetet e Bashkuara.

Kitchen-Worker-Banner_10052022

3. Të Drejtat Tuaja për të Mos Qenë Viktimë e Ngacmimit Seksual dhe Shfrytëzimit Seksual

  • Është e paligjshme për punëdhënësin tuaj t’ju ngacmojë seksualisht. Punëdhënësi juaj nuk duhet të bëjë ndonjë koment fyes për shkak të seksit apo gjinisë.
  • Është e paligjshme për punëdhënësin tuaj t’ju shfrytëzoj seksualisht, përfshi:
    • T ju kërkoj të kryeni një akt seksual;
    • T’ ju prek në një mënyrë seksuale;
    • T’ ju detyroj me forcë, duke ju mashtruar, apo forcuar të kryeni një akt seksual.

4. E Drejta Juaj për të Pasur një Vend Pune të Sigurtë dhe të Shëndetshëm

Si një punonjës në Shtetet e Bashkuara, ju keni të drejtë për kushte të sigurta dhe të shëndetshme pune, duke përfshirë:

  • Trajtim mjekësor: Ju keni të drejtë t’i raportoni punëdhënësit tuaj dëmtime që lidhen me punën dhe shëndetin. Nëse lëndoheni ose sëmureni në punë, mund të kërkoni trajtim mjekësor. Në shumicën e rasteve, për lëndime apo sëmundje të shkaktuara në punë, punëdhënësi juaj duhet t’ju sigurojë trajtim mjekësor falas, si dhe një pjesë të pagave të humbura gjatë kohës që ishit të lënduar. Ju mund të kërkoni kompensimin pune në shtetin ku punoni.
  • Pajisje mbrojtëse: Nëse punoni me ose rreth pesticideve ose kimikateve të rrezikshme, punëdhënësi juaj duhet të paguajë dhe sigurojë pajisje mbrojtëse të nevojshme për punën (të tilla si respirator dhe doreza).

Construction-Worker-Banner_10052022

  • Trajnim: Ju keni të drejtën për të marrë informacion dhe trajnim rreth rreziqeve, metodave parandaluese ndaj lëndëve të rrezikshme, si dhe sigurisë dhe standardeve shëndetësore që aplikohen në vendin tuaj të punës.
  • Strehim: Nëse punëdhënësi juaj ju siguron strehim, ai duhet të jetë i pastër dhe i sigurtë. Ju duhet të lejoheni të largoheni nga strehimi jashtë orarit të punës.
  • Banjot: Banjot duhet të jenë të pastra dhe të aksesueshme. Punëdhënësi juaj duhet t’ju lejojë të shkoni në tualet sipas nevojës.
  • Ujë i pijshëm: Ju keni të drejtë për ujë të pijshëm, të pastër.
  • Sapun dhe ujë i pastër: Ju keni të drejtë të lani duart sipas nevojës me ujë Ju keni të drejtë të lani duart sipas nevojës me ujë dhe sapun veçanë dhe sapun veçanërisht pasi keni mbajtur pesticide/kimikate, duke përfshirë perime apo fruta të trajtuara me pesticide/kimikate.
  • Emergjenca mjekësore: Mund t’ju paguhen shpenzimet për dëmtime në punë, ndaj duhet t’i thoni punëdhënësit tuaj rreth dëmtimit apo sëmundjes suaj menjëherë në mënyrë që punëdhënësi të mund të përgatisë e dorëzojë dokumentacionin e duhur. Kur të jeni tek mjeku, në klinikë apo spital, kërkoni kopje të dokumentacionit në lidhje me sëmundjen apo dëmtimin tuaj.

Nëse punoni, ose jeni pranë pesticideve apo kimikateve të rrezikshme:

  • Ju keni të drejtë të dini dhe kuptoni kimikatet me të cilat po punoni, si dhe punëdhënësi juaj duhet t’ju sigurojë trajnim të paguar mbi kimikatet në vendin e punës.
  • Punëdhënësi juaj duhet t’ju thotë se ku dhe kur ishin spërkatur pesticidet dhe kur është e sigurtë të rihysh në një zonë të trajtuar me pesticide për të parandaluar ekspozim aksidental. Ju nuk duhet të ndodheni në një zonë e cila po trajtohet me pesticide.

Këshillë: Këshillimi ligjor nga punëdhënësi juaj, kontraktori juaj, apo rekrutuesi mund të jetë i njëanëshme. Kërkoni këshillim nga një avokat i pavarur.

5. E Drejta Juaj për të Kërkuar Ndihmë nga Sindikatat, dhe Grupet e të Drejtave të Punës dhe të Emigrantëve

  • Me disa përjashtime, ju keni të drejtën t’u bashkoheni kolegëve tuaj për t’i kërkuar punëdhënësit të përmirësojë pagat tuaja ose kushtet e punës. Shumica e punonjësve kanë gjithashtu të drejtë të formojnë, t’i bashkohen dhe të përkrahin një sindikatë në vendin e punës.
  • Kur nuk jeni duke punuar, mund të merrni pjesë në fjalime publike, tubime, dhe demonstrata në mbështetje të pagave më të larta, ose kushteve më të mira të punës në vendin tuaj të punës.
  • Ju e keni këtë të drejtë pavarësisht statusit tuaj të imigracionit. Punëdhënësi juaj nuk mund të veprojë kundër jush për shkak se po kërkoni të drejtat tuaja.

6. E Drejta Juaj për t’u Larguar nga një Situate Abuzive Punësimi

  • Gjëja më e rëndësishme për ju është të kërkoni mbrojtje nëse po abuzoheni. Ju nuk keni pse të qëndroni në vendin e punës nëse punëdhënësi juaj po abuzon me ju.
  • Edhe pse statusi i vizës suaj nuk do të jetë më i vlefshëm nëse ju braktisni punëdhënësin tuaj, ju mund të ndryshoni statusin e vizës suaj ose punëdhënësin tuaj. Juve mund t’ju duhet të largoheni nga SHBA për të bërë një gjë të tillë. Edhe nëse statusi i vizës suaj nuk është i vlefshëm, ndihma është e mundshme sapo ju të keni lënë punëdhënësin tuaj abuziv.
  • Ju mund të dorëzoni një ankesë zyrtare ose të ngrini një padi kundër punëdhënësit tuaj ndërkohë që ju po punoni, ose pasi të keni ikur nga punëdhënësi juaj. Nëse punëdhënësi juaj ndërmerr një veprim kundër jush (ose ju ndëshkon) për një veprim të tillë, ai po cënon ligjin.

TË DREJTA SHTESË BAZUAR NË STATUSIN E VIZËS SUAJ SI JOIMIGRANT

Punonjësit Shtëpiakë me viza A-3, G-5, NATO-7 dhe B-1

  • Punëdhënësi juaj duhet t’ju sigurojë një kontratë pune, e cila duhet të jetë në përputhje me ligjin e SHBA-së.
  • Kontrata duhet të citojë pagën për orë pune që i paguhet punonjësit shtëpiak. Paga për një orë pune duhet të jetë më lartë nga paga minimale sipas ligjit federal, shtetëror, apo lokal të SHBA-së.
  • Punëdhënësit duhet t’ju ofroj një kontratë në një gjuhë që ju e kuptoni. Sigurohuni që të kuptoni kushtet e kontratës dhe mos firmosni një dokument nëse nuk e dini se çfarë shkruhet aty.

Kërkesa shtesë për vizat A-3, G-5, dhe NATO-7 për punonjësit shtëpiakë

Minimalisht, kontrata duhet të përfshijë këto dispozita:

  • Një marrëveshje nga punëdhënësi ku citohet që ai i bindet të gjitha ligjeve në SHBA;
  • Informacion mbi frekuencën dhe mënyrën e pagesës, detyrimet e punës, orët e punës në javë, festat, mungesat për arsye shëndetësore, ditët e pushimit; dhe
  • Një marrëveshje nga punëdhënësi juaj për të mos ju mbajtur peng pasaportën tuaj, kontratën e punësimit, ose dokumente apo materiale të tjera në pronësinë tuaj.

Vizat H-2A të Punonjësve të Përkohshëm në Bujqësi

  • Ju nuk duhet të paguani asnjëherë ndonjë tarifë tek rekrutuesit e punës.
  • Ju duhet të merrni një kontratë të shkruar pune në një gjuhë që ju e kuptoni. Ajo duhet të përmbajë informacion të detajuar mbi pagën, kohëzgjatjen e kontratës së punës, orët e punës, përfitimet (duke përfshirë transportin, strehimin dhe ushqim apo pajisje për të gatuar) si dhe çdo zbritje nga rroga juaj.
  • Ju keni të drejtën të paguheni në mënyrë të ndershme edhe nëse ju paguheni me njësi prodhimi.
  • Punëdhënësi juaj duhet të sigurojë ose të riimbursojë koston e transportit për këtu dhe mjetet e jetesë të përditshme nga vendi prej të cilit keni ardhur për të punuar për punëdhënësin në vendin e punës, ose t’ju rimbursojë për kosto të arsyeshme pasi ju të keni përfunduar gjysmën e kontratës suaj të punës. Pasi ju të keni mbaruar kontratën e punës, punëdhënësi juaj duhet të paguajë ose të sigurojë transportin nga vendi i punësimit në vendin nga ku u nisët që të punoni për punëdhënësin. Punëdhënësi juaj mund të jetë i detyruar të paguajë udhëtimin për këtu, dhe koston e vizës në javën e parë të punës nëse shuma që mbetet nga paga juaj minus shpenzimet është më pak sesa paga federale e SHBA-së. Punëdhënësi juaj duhet gjithashtu të sigurojë transport falas nga strehimi i siguruar prej punëdhënësit në vendin e punës.

Horticulturalist-Banner_10052022

Këshillë: Punëdhënësi duhet t’ju paguaj në kohë. Në Shtetet e Bashkuara është praktikë e njohur që punëdhënësit të paguajnë çdo dy javë.

  • Ju jeni të përjashtuar nga Sigurimet Shoqërore të SHBA-së dhe taksat e Medicare mbi kompensimin e paguar për shërbimet e kryera në lidhje me vizën tuaj H-2A.
  • Në përgjithësi, punëdhënësi ju ofron punësim për një numër total orësh të barabartë me të paktën ¾ e ditëve të punës në periudhën e kontratës.

Vizat H-2B për Punonjësit e Përkohshëm Jo- Bujqësor

  • Ju nuk keni pse t’u paguani ndonjë tarifë rekrutuesve të punësimit.
  • Ju duhet të merni një urdhër pune me shkrim në një gjuhë që kuptoni. Aty duhet te ketë informacion të detajuar rreth pagës, kohëzgjatjes së punës, oraret, përfitimet (duke përfshirë transportin, strehimin dhe ushqimet, apo pajisjet e gatimit) dhe ndonjë zbritje nga rroga juaj.
  • Në përgjithësi, punëdhënësi juaj duhet t’ju ofrojë punësim për një numër total orësh të barabartë me të paktën ¾ e ditëve të punës për çdo periudhë 12-javore.
  • Ju keni te drejtën për t’u paguar në mënyrë të drejtë, edhe në qoftë se ju paguheni me njësi prodhimi.
  • Punëdhënësi juaj duhet ose të sigurojë, ose të rimbursojë për transportin këtu dhe mjetet e jetesës jashtë vendit duke filluar nga momenti që ju përmbushni gjysmën e periudhës të përcaktuar në kontratë. Për më tepër, punëdhënësi juaj duhet të paguajë shpenzimet për transportin për në vendin tuaj, përfshirë edhe shpenzimet e jetesës, në se përfundoni periudhën e punësimit, ose pushoheni nga punëdhënësi juaj pavarësisht arsyes para përfundimit të periudhës tuaj të punësimit. Gjithashtu, punëdhënësit tuaj mund t’i kërkohet të rimbursojë udhëtimin në ardhje dhe shpenzimet e vizës në javën e parë të punës, në qoftë se shuma që mbetet nga paga juaj minus shpenzimet është më pak sesa paga federale e SHBA-së.

Këshillë: Përpara se të udhëtoni, bëni dy kopje të të gjithë dokumentacionit të rëndësishëm, veçanërisht të pasaportës tuaj dhe të vizës Amerikane, kontratës tuaj të punës dhe ndonjë dokumenti tjetër identifikimi. Jepjani njërën kopje dikujt tek i cili keni besim në vendlindjen tuaj dhe kopjen tjetër merreni me vete.

Vizat J-1 Shkëmbim Vizitorësh

  • Miratimi i formularit të DS-2019 shpjegon datat e programit, kategorinë e shkëmbimit, emrin e sponsorit dhe entitetin pritës ku do të zhvillohet programi juaj i shkëmbimit.
  • Sponsori tuaj duhet t’ju shpjegojë me detaje të gjitha kostot, kushtet dhe kufizimet e programit tuaj të shkëmbimit.

Programi Veror i Punësimit

  • Në qoftë se nuk keni punësim të paracaktuar, sponsori juaj duhet t’ju ndihmojë në gjetjen e punësimit sapo të mbërrini në Shtetet e Bashkuara.

Praktikant ose Stazhier

  • Sponsori juaj duhet t’ju intervistojë personalisht, ose me telefon, ose me video kamera.
  • Sponsori juaj duhet t’ju parashtroj një plan për punë (DS-7002) si praktikant apo stazhier që përfshin një pasqyrë me shkrim të të ardhurave që mund të merrni, si dhe një përmbledhje të objektivave të programit të trajnimit. Juve duhet t’ju jepen së paku 32 orë pune në javë.
  • Sponsori juaj duhet t’ju japë një pasqyrë të shkruar me kostot dhe tarifat që do t’ju duhet të paguani dhe një vlerësim të kostove të jetesës në Shtetet e Bashkuara.
  • Sponsori juaj duhet të sigurohet që ju keni mbulimin e sigurimit mjekësor, edhe pse sponsori juaj nuk paguan për këtë mbulim.

“Au pair”:

  • Familja juaj pritëse duhet t’ju ndihmojë të regjistroheni dhe të ndiqni mësimet në një institucion shkollor përtej arsimit tëtëvjeçar dhe të paguajë një kosto deri në $500 për këto mësime.
  • Ju nuk jeni të detyruar të punoni më shumë se 10 orë në ditë, ose 45 orë në javë.
  • Këshilltari juaj duhet të mbajë kontakte rregullisht me ju dhe familjen tuaj pritëse.

Këshillë: Kur të mbërrini në SHBA, ruajeni pasaportën tuaj dhe dokumente të tjera udhëtimi në një vend të sigurtë ku ju të keni akses në çdo kohë. Është e paligjshme për punëdhënësin tuaj t’ju mbajë pasaportën tuaj.

file

VIZA JUAJ JO-EMIGRUESE

Një vizë jo-emigruese është një dokument qeveritar i SHBA-së, që u lejon individëve që udhëtojnë drejt SHBA-së të kërkojnë hyrjen për një arsye të caktuar, përfshi këtu punësimin, studimet ose pjesëmarrjen në programet e shkëmbimeve kulturore. Ju duhet të aplikoni për vizë në një nga Ambasadat, ose Konsullatat e SHBA-së. Me t’u pajisur me vizën jo-emigruese, ju mund të udhëtoni drejt SHBA-së dhe t’ia tregoni atë zyrtarit të emigrimit për t’u pranuar në SHBA. Nëse viza juaj skadon, ju duhet të pajiseni me vizë tjetër para se të rihyni në SHBA.

Kur pranoheni në SHBA, një zyrtar i emigracionit do të vulosë pasaportën tuaj dhe do shënojë në të datën e pranimit, klasën e pranimit, “afatin e qëndrimit”. Për të pasur status të ligjshëm, ju duhet të largoheni nga SHBA përpara “afatit të lejuar” të qëndrimit shënuar tek I-94”, përjashto rastin kur ju keni aplikuar për një zgjatje qëndrimi pranë Shërbimeve të Nënshtetësisë dhe Imigracionit.

Nurse-Banner_10052022

TRAFIKIMI I QËNIEVE NJERËZORE

Viktimat e trafikimit të qënieve njerëzore kanë të drejtë për mbrojtje dhe shërbime dhe mund të kualifikohen për disa përfitime publike. Trafikimi i qënieve njerëzore është një krim, ku përfshihet shfrytëzimi i fëmijëve për marrëdhënie seksuale me pagesë, i të rriturve për marrëdhënie seksuale me pagesë nëpërmjet përdorimit të forcës, mashtrimit apo detyrimit dhe shfrytëzimit të individit për punë të detyruar. Autorët e shfrytëzimeve të tilla, ku përfshihen trafikantët e punës, tutorët dhe blerësit e seksit me pagesë, mund të ndiqen penalisht sipas ligjeve federale dhe shtetërore anti-trafikim. Trafikantët e punës dhe trafikantët e seksit mund të ndiqen penalisht dhe mund të përballen me përgjegjësi civile. Në vijim po japim disa shenja paralajmëruese, që mund të tregojnë për trafikim të qënieve njerëzore:

Kërcënimet dhe frika

Trafikuesit dhe njerëzit që i ndihmojnë ata, mund të përdorin kërcënimin dhe vepra të tjera frikësuese për t’ju trembur ju ose të tjerët, që të mos largoheni. Për shembull:

  • Rrahje, abuzime fizike, ose abuzime seksuale;
  • Kërcënime për rrahje, abuzime fizike, ose abuzime seksuale;
  • Mbyllja brenda ose ndalimi i një të punësuari për të lënë vendin e punës, ose strehimin.
  • Kërcënime për t’ju lënduar ju ose familjen tuaj në qoftë se do të përpiqeni të largoheni, të ankoheni për keqtrajtim, të raportoni situatën tek autoritetet, apo të kërkoni ndihmë
  • Kërcënimet se mund të deportoheni ose arrestoheni po të kërkoni ndihmë; ose
  • Kërcënime ose dëmtim ndaj punonjësve të tjerë që janë përpjekur të largohen, raportojnë rreth gjendjes së tyre ose që kanë kërkuar ndihmë, se kushdo që përpiqet të largohet do të gjendet dhe do të kthehet mbrapsht.

Këshillë: Mbani shënime të detajuara të çdo komenti dhe/ose veprimi të papërshtatshëm që punëdhënësi ndërmerr kundër jush dhe shkruani emrat dhe numrat e telefonit të dëshmitarëve të mundshëm.

Borxhet

Trafikuesit dhe njerëzit që i ndihmojnë ata, mund t’ju kërkojnë të kryeni punë, të ofroni shërbime, ose të kryeni marrëdhënie seksuale me pagesë (prostitucion), për të shlyer një borxh. Në disa raste borxhi krijohet dhe imponohet nga trafikuesi. Përdorimi i borxhit për t’ju detyruar të punoni, të ofroni shërbime, ose seks me pagesë është i kundraligjshëm. Trafikantët mund ta manipulojnë borxhin tuaj për ta bërë më të vështirë për ta paguar dhe mund t’ju detyrojnë të besoni se ju duhet të mbeteni në shërbim të trafikantit derisa të paguhet borxhi.

Shembuj të borxheve të manipuluara përfshijnë:

  • Vendosja e një borxhi të vështirë ose të pamundur për t’u paguar në kohë të arsyeshme dhe që është në disproporcion me atë që ju do të fitoni;
  • Vendosja e një borxhi, që ju nuk e keni pranuar paraprakisht, ose që është më i madh se borxhi që keni rënë dakord;
  • Refuzimi për të përdorur fitimet tuaja për likuidimin e borxhit;
  • Refuzimi për të përcaktuar se sa gjatë do të qëndroni në shërbim të trafikuesit për të shlyer borxhin;
  • Përfshirja në borxh e tarifave për transport, strehim, ushqim dhe detyrime të tjera për të cilat nuk keni rënë dakord paraprakisht; dhe
  • Shtimi i detyrimeve, gjobave ose dënimeve për thyerje rregullash, për të mos fituar mjaftueshëm, ose për moskryerje të mjaftueshme pune, shërbimesh ose marrëdhëniesh seksuale.

Rregullat dhe Kontrollet

Trafikuesit dhe personat që i ndihmojnë ata, mund të përdorin rregullat dhe kontrollet për t’ju vështirësuar ju ose të tjerëve largimin, ankimimin, ose kërkimin e ndihmës. Për shembull:

  • Rregulla kundër largimit nga vendi i punës, ose rregulla strikte se ku mund të shkoni kur nuk punoni;
  • Rregulla kundër mbajtjes së pasaportës suaj, vizës, certifikatës së lindjes, apo të mjeteve të tjera të identifikimit;
  • Këshillë: Mbani shënime të detajuara të çdo komenti dhe/ose veprimi të papërshtatshëm që punëdhënësi ndërmerr kundër jush dhe shkruani emrat dhe numrat e telefonit të dëshmitarëve të mundshëm.
  • Mohimi i aksesit për ushqim, gjumë, apo për kujdes shëndetësor të mjaftueshëm ose;
  • Parandalimi, kufizimi ose monitorimi i komunikimit me familjen tuaj, punëtorët e tjerë, klientët, apo persona të tjerë jashtë vendit të punës, si p.sh. punëtorët e shërbimeve ligjore.

Mashtrimi dhe Gënjeshtrat

Trafikuesit dhe personat që i ndihmojnë ata, mund të përdorin mashtimin dhe gënjeshtrat. Për shembull:

  • Premtimet e rreme në lidhje me llojin e punës, orët e punës, kushtet e punës ose jetesës, ose pagesën;
  • Premtimet për një punë të mirë dhe pastaj ju detyrojnë të punoni me orë tejet të gjata, në kushte tejet të rënda, ose për pagesë më të vogël nga çfarë ju ishte premtuar;
  • Premtimet për një punë të mirë dhe më pas ju detyrojnë të kryeni lloje të tjera pune, lloje të tjera shërbimesh, ose seks me pagesë; këtu mund të përfshihen premtimi për një punë në profesionin e infermierit dhe më pas ju detyrojnë të punoni si staf në një shtëpi kujdesi për pleq, ose premtimi për të punuar si dado dhe më pas ju detyrojnë të angazhoheni në kërcime ekzotike, apo akte seksuale me pagesë (prostitucion).
  • T’ju thonë se ju nuk keni të drejta;
  • T’ju thonë se nuk do ju besojnë, ose do ju dëbojnë nëse kërkoni ndihmë; ose
  • Ju udhëzojnë të gënjeni lidhur me identitetin e nje trafikuesi.

A do të Deportoheni Nëse Raportoni Abuzimin?

Ka programe që mbrojnë personat që raportojnë abuzimin. Ju nuk duhet të keni frikë për të kërkuar ndihmë edhe në qoftë se keni probleme emigrimi. Ju duhet të konsultoheni me një avokat emigracioni, që nuk punon për punëdhënësin tuaj.

Nëse mendoni se jeni një viktimë e trafikut të qënieve njerëzore, apo të ndonjë krimi tjetër të rëndë, përfshi këtu përdhunimin, ose akte seksual, mund të jeni të kualifikueshëm për një status të ndryshëm jo-emigranti si p.sh. statusin “T” (për viktimat e trafikura), ose statusin“U” (për viktimat e trafikut, ose krimeve të tjera të rënda), ose përndryshe mund të lejoheni të qëndroni përkohësisht në Shtetet e Bashkuara. Këto klasifikime jo-emigruese janë krijuar për mbrojtjen e viktimave. Shumë njerëz në SHBA nuk kanë njohuri rreth statusit jo-emigrues “T” apo “U” dhe juve mund t’ju duhet t’u tregoni rreth këtyre kategorive të vizave njerëzve që po ju ndihmojnë.

Cilat shërbime janë në dispozicion për viktimat e trafikut të qënieve njerëzore?

  • Viktimat e trafikimit në Shtetet e Bashkuara mund të kenë të drejtë për përfitime, shërbime dhe lehtësim emigracioni sipas programeve federale ose shtetërore. Shumë organizata mund t‘ju ndihmojnë të përfitoni këto shërbime, ku përfshihen kujdesi mjekësor/dentar, kujdesi për shëndetin mendor, strehimi, ndihma ligjore për emigracionin dhe nevojat e tjera ligjore, ndihma për punësimin dhe përfitimet publike.

Këshillë: Është ide e mirë që të mbani shënime me shkrim gjatë të gjithë kohës për punën tuaj. Mbani një bllok dhe shënoni të gjitha ditët dhe orët që keni punuar, sa jeni paguar, datat që keni marrë pagesën, çdo zbritje që ju është bërë nga rroga dhe arsyen përse.

VIZITONI KËTO FAQE INTERNETI PËR MË SHUMË INFORMACION LIDHUR ME:

(Websitet vijuese janë në gjuhën angleze.)

  • Procesin e aplikimit për vizë dhe vizën tuaj amerikane: usvisas.state.gov.
  • Trafikimi i qenieve njerëzore: www.state.gov/j/tip.
  • Viza sipas programit të shkëmbimit J- 1: j1visa.state.gov.
  • Barazinë dhe të drejtat tuaja për të mos u diskriminuar në punë për shkak të racës, ngjyrës së lëkurës, fesë, gjinisë (përfshi shtatzaninë), orgjinës kombëtare, moshës (40 e sipër), paaftësisë ose informacionit gjenetik, gjithashtu si të paraqisni një akuzë diskriminimi: www.eeoc.gov.
  • Për të drejtat për siguri në punë, ose në qoftë se mendoni se puna juaj nuk ka kushte të sigurta pune dhe kërkoni një inspektim: www.osha.gov.
  • Si të merrni pagat e papaguara nga punëdhënësi juaj: webapps.dol.gov/wow.
  • Të drejtën tuaj për t’u paguar në mënyrë të drejtë dhe mënyrën se si të paraqisni një ankesë për pagesën: www.dol.gov/agencies/whd.
  • Të drejtën tuaj për të mos u diskriminuar për shkak të shtetësisë suaj dhe sesi të paraqisni një ankesë për diskriminim: www.justice.gov/crt/filing-charge.
  • Të drejtat për t’iu bashkuar punëtorëve të tjerë për të përmirësuar kushtet e punës, dhe informacionin sesi të ngrini një padi: www.nlrb.gov.
  • Të drejtat, detyrimet dhe përjashtimet nga siguracioni shëndetësor: localhelp.healthcare.gov.

Kjo broshurë është formuluar në përputhje me Nenin 202 të Aktit të vitit 2008 të Riautorizimit të Mbrojtjes për Viktimat e Trafikimit të detyruar, Ligj publik 110-457